Bluzat e bardha në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë dalë në një protestë këtë të enjte. Në një prononcim për mediat një prej mjekëve deklaroi se mjekësia ndodhet aktualisht në pikën më të keqe që pas rënies së komunizmit. Sipas tij, punonjësit e shëndetësisë në Shqipëri janë të papaguar, punojnë pa kushte dhe masa mbrojtëse.

“Faleminderit që keni ardhur kjo është një protestë e organizuar nga Sindikata e Punonjësve të shëndetësisë në mbrojtje të jetëve të njerëzve në shërbimin shëndetësor dhe përmirësimin e kushteve të cilat janë shumë të neglizhuara. sot mjekësia është në pikën më të keqe prej 30 vitesh, ku është e papaguar, pa kushte, pa masa mbrojtëse dhe që nuk bëhet asnjë lloj shërbimi ndaj punonjësit të mjekësisë dhe njerëzve”, u shpreh një prej mjekëve.

Ai deklaroi se dy javë më parë i është bërë një peticion qeverisë, por nuk kanë marrë përgjigje. Mjeku u shpreh se për një orë do të zhvillohet një grevë.

“I kemi bërë peticion qeverisë për të na pritur në takim nuk na ka pritur nuk na ka kthyer përgjigje. Përfundimisht njoftuam një grevë njëorëshe. Ata e kanë ndaluar me polici grevën, por në vendin e punës askush nuk mund të ndalojë të protestojë. I bëj thirrje qeverisë sa më shpejt të vijë në shërbim të jetës së qytetarëve, të jetës së punonjësve të shëndetësisë sepse shumë nga punonjësit me mjekësisë duhet të shpallen heronj sepse kanë dhënë jetën në shërbim të qytetarëve shqiptarë”.

Mjekët kërkojnë që personeli shëndetësor që humb jetën gjatë pandemisë të shpallen dëshmorë të kombit.

“Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën dhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë. Rritje e vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor. Personelit shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjithave standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare”, janë disa prej kërkesave të tjera të tyre./tvklan.al