30 tetor 2026 –Ashtu sikurse e paralajmëroi edhe më herët, kreu i Dhomës së Avokatëve, Maks Haxhia, bëri me dije se ka përfunduar bojkoti i avokatëve, duke respektuar kështu sipas tij, vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit. Kjo e fundit pezulloi dy ditë më parë vendimin për bojkotin e seancave në gjyqet që mbahen në Gjykatën e Posaçme.

Sipas Haxhisë, gjyqet në GJKKO do të nisin nga dita e hënë, 2 nëntor. Po ashtu, ai tha se paralelisht është ngritur grupi i punës që do të vijojë me padinë në Apelin e Administratives.

“Sot na u vu në dispozicion vendimi i Administratives së Apelit dhe masa provizore është që bojkoti të pezullohej. Në këto kushte, ky organ vendimmarrës, i bëmë prezent gjithë situatën, përpjekjet tona për zgjidhjen e këtij konflikti dhe Dhoma e Avokatisë ka qenë që në ditët e para, kemi qenë dhe jemi, që çdo gjë të zgjidhet me mirëkuptim e bisedime.

U përdor autoriteti i karriges dhe s’është mirë që në këtë vend kaq të vogël të ndiqet me imponimin e autoritetit të karriges. Duke qenë përpara këtij realiteti, Këshilli i Përgjithshëm vendosi që në zbatim të këtij vendimi dhe për shkak të ecurisë së këtij vendimi, të ndërpresë bojkotin duke filluar nga dita e hënë. Ndërkohë Këshilli përcaktoi edhe grupet e punës që do të paraqesin ankimin në rrugën ligjore për ecurinë”, tha Haxhia.

Kujtojmë se bojkoti nisi që në fillim të muajit shtator për shkak të kundërshtimit nga ana e avokatëve të rregullores së re të GJKKO-së që iu ndalonte atyre celularët në seancë. Kjo lëvizje bllokoi afro 500 seanca gjyqësore gjatë këtyre dy muajve duke bëre që të mbahen vetëm procese me karakter urgjent.