Një sulm rus me dronë ka shkatërruar pjesërisht një pallat pesëkatësh në zonën e Dimerit, në veri të kryeqytetit ukrainas, Kiev, ku një person ka ndërruar jetën, ndërsa 14 të tjerë rezultojnë të zhdukur nën rrënoja.

Ekipet e emergjencës vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa nga ndërtesa janë evakuuar 9 persona. Zjarrfikësit kanë arritur të vënë nën kontroll flakët, por autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka konfirmuar përmasat e sulmit dhe ka kërkuar reagim më të shpejtë nga aleatët perëndimorë.

Zelenskyy bëri të ditur se vetëm gjatë kësaj jave Rusia ka lëshuar drejt Ukrainës rreth 2 mijë e 700 dronë, afro 1 mijë e 460 bomba ajrore dhe 165 raketa, duke goditur 20 rajone të vendit.

Sulmet vijnë pas një vale masive bombardimesh nga ajri, me mbi 400 dronë dhe më shumë se 110 raketa të lëshuara brenda natës, ku në Kiev humbën jetën të paktën shtatë persona.

Dëme u raportuan edhe në ura strategjike mbi lumin Dnipro.

Ndërkohë, edhe forcat ukrainase kanë kryer sulme gjatë natës në territorin rus, duke goditur një objekt të Gardës Kombëtare në rajonin e Krasnodarit.

Pesë persona raportohet se janë plagosur.

Ndërsa sulmet vijojnë pasi bisedimet për paqe nuk kanë bërë progres, Kievi i kërkon Perëndimit përshpejtimin e furnizimit me raketa interceptuese, veçanërisht ato të projektuara për të neutralizuar raketat balistike.

Klan News

/tvklan.al