Oqeanet e botës janë në gjendje më të keqe nga sa mendohej, sipas asaj që bëjnë të ditur shkencëtarët, ndërsa paralajmërojnë se një matje kyçe tregon se “po na mbaron koha” për të mbrojtur ekosistemet detare.

Sipas asaj qyq raporton The Guardian acidifikimi i oqeanit, i quajtur shpesh “binjaku i lig” i krizës klimatike, shkaktohet kur dioksidi i karbonit absorbohet me shpejtësi nga oqeani, ku reagon me molekulat e ujit duke çuar në një rënie të nivelit të pH-it të ujit të detit. Ai dëmton shkëmbinjtë koralorë dhe habitatet e tjera të oqeanit dhe në raste ekstreme, mund të tresë guaskat e krijesave detare.

Ndërkohë deri më tani, acidifikimi i oqeaneve nuk ishte konsideruar se e kishte kaluar “kufirin planetar” të tij. Kufijtë planetarë janë kufijtë natyrorë të sistemeve kryesore globale, siç janë klima, uji dhe diversiteti i jetës së egër, përtej të cilëve aftësia e tyre për të ruajtur një planet të shëndetshëm është në rrezik të dështojë. Gjashtë nga nëntë ishin kaluar tashmë, thanë shkencëtarët vitin e kaluar .

Megjithatë, një studim i ri nga Laboratori Detar i Plymouth (PML) i Mbretërisë së Bashkuar, Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike me seli në Uashington dhe Instituti Bashkëpunues për Studime të Burimeve Detare i Universitetit Shtetëror të Oregonit zbuloi se “kufiri” i acidifikimit të oqeanit u arrit rreth pesë vite më parë.

“Acidifikimi i oqeaneve nuk është vetëm një krizë mjedisore, është një bombë me sahat për ekosistemet detare dhe ekonomitë bregdetare”, tha Profesor Steve Widdicombe i PML-së, i cili është gjithashtu bashkëkryetar i Rrjetit Global të Vëzhgimit të Acidifikimit të Oqeaneve .

Studimi u mbështet në matje të reja historike, fizike dhe kimike nga bërthamat e akullit, të kombinuara me modele të përparuara kompjuterike dhe studime të jetës detare, të cilat u dhanë shkencëtarëve një vlerësim të përgjithshëm të 150 viteve të fundit.

Nga ky studim u zbulua se deri në vitin 2020, gjendja mesatare e oqeanit në mbarë botën ishte shumë afër dhe në disa rajone përtej kufirit planetar për acidifikimin e oqeaneve. Kjo përkufizohet si kur përqendrimi i karbonatit të kalciumit në ujin e detit është më shumë se 20% nën nivelet para-industriale.

Sa më thellë në oqean që shikonin, aq më të këqija ishin gjetjet, thanë shkencëtarët. Në 200 metra nën sipërfaqe, 60% e ujërave globale kishin tejkaluar kufirin e “sigurt” për acidifikimin.

Ndërsa nivelet e pH-it bien, speciet si koralet, gocat e detit, midhjet dhe molusqet e vogla të njohura si fluturat e detit kanë vështirësi të ruajnë strukturat e tyre mbrojtëse, duke çuar në guaska më të dobëta, rritje më të ngadaltë, riprodhim të reduktuar dhe ulje të shkallës së mbijetesës.

/tvklan.al