Reshjet e shiut të ditëve të fundit ia kanë lënë vendin borës, e cila ka zbardhur zonat malore në vend.
Në Dibër, bora, e nisur pasditen e djeshme, ka vazhduar me intensitet të lartë edhe gjatë natës. Trashësia në qytetin e Peshkopisë arrin në 15 cm, ndërsa në zonat e thella, në lartësi mbi 1 mijë metra, arrin mbi 25 cm.
Temperaturat janë ulur ndjeshëm dhe në rrugë ka prezencë akulli, duke sjellë vështirësi për qarkullimin e automjeteve gjatë mbrëmjes, ndërsa aktualisht situata paraqitet pa probleme.
Në orët e para të mëngjesit, intensiteti i reshjeve të borës ka rënë, por në disa segmente ka prezencë ngricash, ndaj autoritetet apelojnë që drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm dhe të përdorin zinxhirët.
Ndërsa në Qafë Thore, ekipet e mirëmbajtjes po punojnë për ta mbajtur të kalueshme rrugën drejt Thethit. Sipas ARRSH-së, reshje dëbore janë regjistruar gjithashtu në segmente të tjera të veriut, por asnjëri prej tyre nuk është i bllokuar.
Reshjet e borës kanë përfshirë edhe juglindjen e vendit, në lartësitë mbi 1 mijë metra.
Fshati turistik i Dardhës është zbardhur këtë të diel, pasi ulja e temperaturave gjatë mbrëmjes u pasua nga reshje bore.
“Në Dardhë, trashësia e dëborës shkoi në 7 cm, ndërkohë që në zonat e thella malore të bashkive të Pogradecit dhe Korçës, trashësia i ka kaluar 10 cm. Të gjitha rrugët nacionale në juglindje të vendit janë të hapura dhe të qarkullueshme. Po ashtu, nuk ka vështirësi edhe në akset turistike që lidhin Korçën me Dardhën dhe Voskopojën.
Reshje bore janë regjistruar edhe në akset Qukës-Qafë Plloçë, Qafë Plloçë-Qafë Thanë, Librazhd-Fushë Studen, por vijojnë të jenë të hapura për qarkullim.”
Ndërkohë, sinoptikanët kanë parashikuar uljen e ndjeshme të temperaturave në ditët në vijim, ku ato minimale pritet të zbresin deri në -6 gradë Celsius në zonat malore.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 