Bora zbardhi zonat malore të Korçës në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje.

Reshjet me intensitet të ulët nuk kanë krijuar probleme me qarkullimin e automjeteve. Gjithsesi, në aksin rrugor Boboshticë-Dardhë, autoritetet rrugore kanë nisur pastrimin e rrugës me borëpastruese dhe hedhjen e kripës.

Ndërkohë, Drejtoria Qendër-Lindje e Autoritetit Rrugor Shqiptar bën të ditur se po monitoron akset rrugore për të garantuar ndërhyrje të menjëhershme aty ku është e nevojshme. Por nisja e reshjeve të borës është shoqëruar me ulje të ndjeshme të temperaturave në të gjithë vendin. Sipas meteorologëve, reshjet e borës do të ndërpriten, por termometri në fundjavë ulet disa gradë nën zero.

“Fundjava do të sjellë një tjetër rënie të temperaturave të ajrit, duke bërë që minimumet në orët e para të mëngjesit në zonat malore pritet të jenë -5 apo -6 gradë Celsius, në zonat e thella malore akoma më të ulëta. Ndërsa në ultësirën perëndimore do të luhaten nga 4 deri në 8 gradë Celsius në vijën bregdetare, ndërsa maksimumet do të mbeten rreth 14 apo 15 gradë”.

Ulja e temperaturave do të vijojë edhe javën e ardhshme, duke sjellë një mbyllje të këtij viti me dimër të acartë.

“Minimumet në qytetet e zonave malore në orët e para të mëngjesit dhe në orët e vona të mbrëmjes do të jenë -7 gradë Celsius, ndërsa në ultësirën perëndimore do të luhaten nga 3 deri në 7 gradë. Fillimi i javës do të sjellë edhe rënie të temperaturave në orët e mesditës, duke bërë që maksimumet të luhaten rreth vlerës 12 gradë Celsius”.

Ulja e temperaturave pritet të sjellë probleme me ngricat në rrugë, kryesisht në zonat verilindore dhe juglindore të vendit.

Tv Klan

/tvklan.al