19 shtator 2026- Pas rikthimit, Bordi i Transparencës ka zhvilluar mbledhjen e parë ku ka vendosur çmimet maksimale të shitjes me pakicë dhe shumicë për naftën dhe benzinën.

Sipas vendimit, nafta do të shitet me pakicë pa kaluar pragun prej 219 lekë/litër, ndërsa me shumicë jo më shumë se 207 lekë/litër.

Kurse benzina do të shitet me pakicë me një çmim jo më tepër se 195 lekë/litër, ndërsa me shumicë jo më shumë se 183 lekë/litër.

Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi sot, më 19 shtator, në orën 16:00, dhe do të qëndrojnë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të rishikohen në varësi të ndryshimeve të çmimeve të shitjes.

Bordi ka tërhequr vëmendjen e operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të çmimeve të përcaktuara. Në rast konstatimi të shkeljeve, parashikohet edhe pezullimi i aktivitetit të operatorëve.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë deklaruar se do të vijojnë të monitorojnë tregun, me synim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme.

Njoftimi i Bordit:

Bordi i Transaparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e parë.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 19 Shtator 2026, vendosi:


-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 219 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 207 lekë/litër.
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 195 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 183 lekë/litër.
-Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 19 ora 16.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.


Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

/tvklan.al