Bordi i Transparencës, i mbledhur mëngjesin e kësaj të shtune, ka vendosur të rrisë sërish çmimin e karburanteve në vendin tonë. Kështu, nafta është rritur me 15 lekë për litër dhe nga 203 lekë që ishte çmimi i mëparshëm tavan, tashmë në pikat e shitjes me pakicë tregtohet me 218 lekë.

Rritje ka pësuar edhe çmimi i benzinës, përkatësisht me 6 lekë më shumë. Më konkretisht, bordi vendosi që në pikat e karburanteve me pakicë një litër benzinë të shitet me 181 lekë për litër, nga 175 lekë që ishte vendosur në mbledhjen e parë.

Sa i përket naftës, ky është çmimi më i lartë për këtë valë të re rritjesh, të ndikuar nga konflikti në Lindjen e Mesme. Çmimet e caktuara nga Bordi i Transparencës do të jenë në fuqi prej kësaj të shtune e deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi i Transparencës thekson në njoftimin e fundit se tërheq vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës për detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

Ndryshimet e fundit në çmimin e karburanteve në vendin tonë vijnë në një kohë kur çmimi i naftës së papërpunuar në bursat ndërkombëtare ka pësuar sërish një rritje të ndjeshme. Më konkretisht, një fuçi naftë e papërpunuar në bursën e Teksasit po shitet me afro 100 dollarë, ndërsa në atë të Londrës mbi 110 dollarë.

Tv Klan

/tvklan.al