Atentati me armë zjarri ndaj ish-presidentit Donald Trump u dënua menjëherë nga presidenti Joe Biden.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë duke iu drejtuar vendit tha se ndihet i lehtësuar se Trump është mirë dhe se shpreson të flasë me rivalin e tij në garën e re presidenciale pas kësaj ngjarjeje.

“Ne nuk mund të lejojmë që të ndodhin gjëra të tilla. Ideja se mund të ndodhë një dhunë e këtij lloji në Amerikë është e pabesueshme”.

Për këtë ngjarje reagoi edhe ish-presidenti Barack  Obama.

“Nuk ka absolutisht vend për dhunë politike në demokracinë tonë. Edhe pse ne nuk e dimë ende saktësisht se çfarë ndodhi, të gjithë duhet të jemi të lehtësuar që ish-presidenti Trump nuk u lëndua seriozisht dhe ta përdorim këtë moment për t’iu përkushtuar ndaj civilizimit dhe respektit në politikën tonë.”

Sulmi u dënua dhe nga liderët e tjerë botërorë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ishte “thellësisht e tronditur” nga të shtënat.

“Dhuna politike nuk ka vend në një demokraci. I uroj Donald Trumpit shërim të shpejtë dhe i shpreh ngushëllimet e mia familjes së viktimës së pafajshme.”

Ndërsa presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e cilësoi ngjarjen si  një tragjedi për demokracitë tona.

Franca ndan me popullin amerikan tronditjen dhe zemërimin”, shkroi ai në “X”, duke i uruar Trumpit shërim të shpejtë.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e cilësoi të neveritshëm sulmin ndaj Trumpit, duke shtuar se dhuna politike është kërcënim për demokracinë.

Edhe presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka shprehur keqardhje për incidentin. “Kina është e shqetësuar me të shtënat”, tha Ministria e Jashtme kineze. Ngjarja u dënua edhe nga presidenti ukrainas Zelensky, i cili nuk ka marrëdhënie të mira me Trump. Ne reagimin e tij tha se një dhunë e tillë nuk ka justifikim dhe nuk ka vend askund në botë.

Tv Klan