Sociologu dhe filozofi francez Edgar Morin, një nga figurat më të shquara të jetës intelektuale franceze, ka ndërruar jetë dje në moshën 104-vjeçare. Lajmi është konfirmuar këtë të premte, për agjencinë e lajmeve AFP nga bashkëshortja e tij.

Gjigant i mendimit bashkëkohor me prirje të forta politike të majta, Morin ishte autor i një vepre të larmishme, e njohur përtej kufijve të Francës, e cila sfidonte sociologjinë tradicionale dhe paraqitej si një reflektim mbi njerëzimin, i mbështetur në të dhëna shkencore.

“Deri në ditët e tij të fundit, Edgar Morin mbeti i vëmendshëm ndaj botës, ndaj njerëzve dhe ndaj sfidave të mëdha njerëzore që ushqyen mendimin e tij”, deklaroi bashkëshortja e tij, Sabah Abouessalam Morin, në një deklaratë për AFP.

“Sot boshllëku që ai lë pas është i jashtëzakonshëm. Por guximi i tij, besnikëria ndaj njerëzve dhe ideve, rigoroziteti moral dhe shpresa e tij vazhdojnë të na udhëheqin”, shtoi ajo.

Pavarësisht moshës së thyer, Morin mbeti një figurë e rëndësishme dhe me ndikim në debatin intelektual. Reflektimet e tij mbi natyrën në ndryshim të mënyrës sonë të jetesës, në epokën e globalizimit të përshpejtuar, zbulojnë shumë për kohën në të cilën jetojmë.

I nderuar me diploma honoris causa nga 38 universitete të huaja, ai ishte autor i rreth 40 librave, shumë prej tyre të përkthyer në gjuhë të ndryshme. Origjinaliteti i këtij hebreu laik, që e konsideronte veten një “grabitqar të dijes”, qëndronte në refuzimin e fragmentimit të njohurive, duke mbrojtur një vizion multidisiplinar kulturor dhe shkencor.

Historian, filozof dhe shkencëtar, ai u përpoq të rrëzonte kufijtë mes disiplinave. Në vëllimin e pestë të veprës së tij madhore me gjashtë vëllime, Il Metodo, ai shkruante: “Sa më shumë dimë për njerëzimin, aq më pak e kuptojmë atë. Ndarjet mes disiplinave e copëtojnë, e zbrazin nga jeta, substanca dhe kompleksiteti, ndërsa disa shkenca që e quajnë veten humane arrijnë madje të shterojnë vetë nocionin e njerëzimit.”

Edgar Nahoum lindi më 8 korrik 1921 në Paris, si fëmijë i vetëm në një familje hebreje me origjinë nga Selaniku, e cila ishte vendosur në Paris. Në vitin 1941 ai u regjistrua në Partinë Komuniste dhe iu bashkua Rezistencës franceze me pseudonimin Morin.

Vepra e tij pati ndikim të madh me botimin, në vitin 1959, të librit Autocritica, ku rrëfen përjashtimin e tij nga Partia Komuniste Franceze, ku kishte qenë një figurë e rëndësishme, si dhe verbërinë e tij ndaj stalinizmit. Në të njëjtën periudhë ai ishte gjithashtu një nga themeluesit e komitetit të intelektualëve kundër luftës në Lufta e Algjerisë.

Shkrim nga Corriere della Sera

/tvklan.al