Pashkët katolike, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit liturgjik të krishterë, festohen sot nga miliona besimtarë në mbarë botën.
Ceremonia kryesore u zhvillua në Vatikan, ku mijëra besimtarë kishin mbushur Sheshin e Shën Pjetrit për të ndjekur ceremoninë e drejtuar nga Papa Leoni.
Në mesazhin e tij, Leoni i bëri thirrje udhëheqësve të botës që t’i japin fund konflikteve dhe të braktisin çdo skemë për pushtet, pushtim apo dominim.
“Ata që kanë armë le t’i lënë ato. Ata që kanë fuqinë për të nisur luftëra le të zgjedhin paqen!” – theksoi Ati i Shenjtë.
Papa nuk përmendi ndonjë konflikt specifik në mesazhin, të njohur si bekimi “Urbi et Orbi”, por më herët Papa i parë amerikan është shprehur hapur kundër luftës në Iran.
Kjo e dielë shënoi Pashkën e parë të Leonit si Papë. Festa u kremtua edhe në zonat e përfshira nga lufta në Lindjen e Mesme. Pavarësisht përshkallëzimit të sulmeve izraelite në Liban, u përkujtua lindja e Jezusit.
Patriarku Latin i Jerusalemit gjithashtu drejtoi lutjet e së dielës së Pashkëve në Varrin e Shenjtë të Jerusalemit, mes kufizimeve në grumbullimet në grupe të mëdha dhe tensioneve midis SHBA-Izrael dhe Iran.
Në Europë, besimtarët morën pjesë në meshë dhe procesione tradicionale, ndërsa familjet u mblodhën për të festuar së bashku këtë ditë të shenjtë.
Edhe në vende të tjera të botës, nga Amerika deri në Azi dhe Afrikë, komunitetet katolike kremtuan Pashkët me rite dhe zakone të ndryshme, duke theksuar unitetin dhe rëndësinë shpirtërore të kësaj feste.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 