Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Një diplomat izraelit mbeti i plagosur pas një atentati në kryeqytetin jordanez Aman. Diplomati izraelit është goditur ndërsa po udhëtonte në makinën e tij i shoqëruar dhe nga persona të tjerë. Ai është plagosur në këmbë dhe në dorë pas goditjeve. Deri tani nuk janë kapur atentatorët. Ndërkohë dhuna vazhdon edhe në territoret e pushtuara. Kësaj radhe viktimë ka qenë një polic izraelit, i cili është vrarë në Rripin e Gazës.

Pas një mërie prej dekadash, pas 60 mijë amerikanëve dhe 3 milion vietnamezëve të vrarë, ky është realiteti më i fundit amerikano-vietnamez. Realitet i cili ka për arkitekt presidentin amerikan Bill Klinton. Sot në ditën e tretë të vizitës së tij në Vietnam, Klinton ka provuar gjellët tradicionale të vendit, ka takuar njerëz në rrugë dhe ka mbyllur njëherë e mirë atmosferën armiqësore që ekziston mes dy vendeve.

Në Panama ka vazhduar dhe sot samiti i 10 vendeve ibero-amerikane. E ashpër ka qenë replika mes liderit kuban Fidel Kastro dhe presidentit të El Salvadorit. Kastro ka akuzuar El Salvadorin, se ai ka nisur në Panama njerëz për të vrarë Kastron. Presidenti i El Salvadorit është përgjigjur duke deklaruar se nuk mund të akuzojë Kastro, i cili ka organizuar luftën 12 vjeçare në El Salvador. Në samitin e Panamasë, janë firmosur marrëveshjet e para, ndërkohë që ky samit vazhdon punimet./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori