Donald Trump zbarkoi në Pekin këtë të mërkurë, në vizitën e parë të një presidenti amerikan në Kinë në dekadën e fundit. Trump u prit me nderime të larta dhe tapet të kuq. Studentët bënë një shfaqje të koordinuar duke valëvitur flamujt, ndërsa presidenti drejtohej për në autokolonën e tij.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë do të qëndrojë në Kinë deri të premten me një axhendë që përfshin takime kokë më kokë me liderin kinez, bisedime zyrtare dypalëshe, banket shtetëror, çaj dhe drekë pune.
Në nisje të udhëtimit, Trump u shpreh entuziast: “Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Presidentin Xi dhe mendoj se do të mbetet kështu. Kemi shumë gjëra për të diskutuar. Ky do të jetë një udhëtim emocionues”.
Diskutimet mes dy krerëve të vendeve pritet të prekin një mori temash të nxehta, përfshirë Iranin, mes frikës se Trump mund të tundohet të dobësojë mbështetjen ndaj Tajvanit në këmbim të ndihmës kineze në konfliktin e Lindjes së Mesme. Megjithatë, presidenti e hodhi poshtë një gjë të tillë.
“Nuk mendoj se kemi nevojë për ndonjë ndihmë me Iranin, për të qenë i sinqertë me ju. Ata janë të mundur ushtarakisht dhe, ose do të bëjnë gjënë e duhur, ose ne do ta përfundojmë punën”.
Trump ka marrë me vete një grup biznesmenësh, përfshirë Elon Musk të Teslës dhe Tim Cook të Apple. Ndërkohë, gjatë një ndalese në Alaskë, ku avioni presidencial u furnizua me karburant, Trump mori në bord edhe Jensen Huang të Nvidia, kompani që është në mesin e rivalitetit mes Kinës dhe SHBA-ve për shitjen e pjesëve kompjuterike dhe çipave.
Ka pritshmëri të larta që presidenti do të ndihmojë në nënshkrimin e marrëveshjeve tregtare për avionë dhe mallra bujqësore amerikane. Trump dhe Xi do të diskutojnë gjithashtu krijimin e një bordi të ri tregtar për të menaxhuar atë që Kina duhet të blejë nga SHBA-ja dhe anasjelltas.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 