Botërori i këtij viti do të jetë një rekord financiar për 48 kombëtaret pjesëmarrëse. Pas kërkesave të shumta nga federatat, FIFA vendosi një rritje prej 15% të shpërblimeve totale, duke e çuar fondin në 871 milionë dollarë.
Ky vendim përfaqëson një nga paketat financiare më të mëdha në historinë e turneut dhe synon të mbështesë jo vetëm ekipet që do zbresin në fushë, por edhe zhvillimin e futbollit global.
Ndryshimet kryesore përfshijnë rritje të kontributit për përgatitje nga 1.5 në 2.5 milionë dollarë, bonuset e kualifikimit që arrijnë deri në 10 milionë dollarë, si dhe subvencione shtesë për kostot e delegacioneve dhe biletat e rezervuara.
Sa i përket shpërblimeve sipas renditjes përfundimtare, struktura mbetet e pandryshuar.
Fituesi i Kupës së Botës do të përfitojë 50 milionë, ndërsa finalisti 33 milionë dollarë. Ekipet që arrijnë në gjysmëfinale dhe fazat e tjera do të shpërblehen gjithashtu me shuma të konsiderueshme, duke garantuar përfitime të mëdha për të gjitha kombëtaret pjesëmarrëse.
Nga vendi i 33 deri në të 48 kombëtaret do të depozitojnë një bonus prej 9 milionë dollarësh. FIFA zhvilloi gjithashtu negociata për të hequr detyrimin për taksat federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku parashikohet që këto shoqata të paguanin një taksë federale prej 21%, e cila rritet deri në 37% për të ardhurat e lojtarëve individualë.
Ndërkohë, Kanadaja dhe Meksika, bashkëorganizatorë të Kupës së Botës kanë ofruar përjashtime tatimore për kombëtaret që luajnë në territorin e tyre.
Me këtë rritje të re financiare, Botërori 2026 pritet të jetë jo vetëm më i madhi në histori për nga numri i ekipeve, por edhe më fitimprurësi, duke reflektuar ambicien e FIFA-s për të zgjeruar dhe zhvilluar futbollin në çdo cep të globit.
Botërori do mbahet nga 11 qershori deri më 19 korrik dhe do transmetohet ekskluzivisht në TV kombëtar Klan.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
