Një nga makthet më të mëdha të futbollit ndërkombëtar është rikthyer vetëm pak ditë para Kupës së Botës 2026. Kushtet ekstreme të motit në Shtetet e Bashkuara kanë shkaktuar sërish ndërprerjen e një ndeshjeje, duke ngritur pikëpyetje serioze për organizimin e turneut më të madh futbollistik në botë.
Miqësorja mes Arabisë Saudite dhe Porto Rikos në stadiumin e Teksasit u ndërpre për më shumë se 90 minuta pas një alarmi meteorologjik. Autoritetet njoftuan se një stuhi me vetëtima po afrohej në një distancë prej rreth 14 kilometrash nga stadiumi, duke detyruar lojtarët, stafet teknike dhe tifozët të largoheshin menjëherë nga fusha dhe tribunat për arsye sigurie.
Ndeshja u pezullua pak pas fillimit të pjesës së dytë. Pas më shumë se një ore ndërprerje, skuadrat u detyruan të riktheheshin në fushë dhe të kryenin sërish nxehjen, përpara se loja të rifillonte. Arabia Saudite fitoi 3–0, me të tre golat që u shënuan pas rifillimit të takimit.
Një situatë e ngjashme ishte regjistruar edhe një vit më parë gjatë Botërorit të Klubeve në SHBA.
Shqetësimi rritet edhe më shumë pasi Teksasi do të jetë një nga qendrat kryesore të Kupës së Botës 2026. Dallasi dhe Houstoni, dy nga 11 qytete pritëse amerikane, ndodhen pikërisht në këtë shtet.
Kombëtare të mëdha si Anglia, Argjentina, Holanda, Gjermania dhe Portugalia do të zhvillojnë aty ndeshjet e tyre, ndërsa kushtet e paqëndrueshme atmosferike po ngjallin gjithnjë e më shumë debat mbi ndikimin e motit në mbarëvajtjen e turneut.
/tvklan.al












Botërori 2026 
