28 ekipe nga 32 janë përcaktuar për fazën e 1/16 të Kupës së Botës dhe mes tyre është edhe surpriza Kepi i Gjelbër. Ekipi debutues nga një ishull me 500 mijë banorë barazoi pa gola me Arabinë Saudite, duke e mbyllur në vendin e dytë në grup me 3 pikë dhe do të luajë me kampionen në fuqi, Argjentinën. Kepi i Gjelbër e mbylli pa humbje fazën e grupeve, duke qenë një befasi e këndshme e turneut.
Spanja u rendit e para në Grupin H, pasi mundi 1-0 Uruguajin që u eliminua nga gara. Goli i Alex Baena në minutën e 42’ vendosi takimin. Franca e mbylli Grupin I të Botërorit 2026 me fitore bindëse 4-1 ndaj Norvegjisë, duke siguruar vendin e parë me pikë të plota. Dembélé ishte protagonisti absolut me 3 gola të realizuar, ku 2 pasime u dhanë nga Mbappé.
Norvegjia, që nuk kishte në fushë Haaland, ngushtoi përkohësisht rezultatin me Aasgaard, por nuk arriti të rikthehej në lojë. Në pjesën e dytë, portieri Maignan priti një penallti të Larsen, ndërsa Doué vulosi fitoren me golin e katërt në kohën shtesë. Franca do të përballet me Suedinë në fazën e 1/16. Norvegjia, si e dyta në grup, do të luajë me Bregun e Fildishtë.
Senegali arriti një fitore bindëse 5-0 ndaj Irakut dhe shkon më tej si një nga skuadrat më të mira të vendeve të treta. Diarra shënoi që në minutën e katërt, ndërsa Iraku mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Sulakes në të 13’. Në pjesën e dytë, Senegali dominoi plotësisht. Sarr, Gueye dhe Ndiaye ishin shënuesit për ekipin afrikan.
Në ndeshjen e tretë të Grupit G të Kupës së Botës, Belgjika mposhti me rezultatin e thellë 5-1 Zelandën e Re dhe u kualifikua si e para. Trossard hapi serinë e golave në pjesën e parë dhe realizoi edhe në fillim të dytës. Shënuesit e tjerë për belgët ishin De Bruyne, Lukaku dhe Saelemaekers. Just realizoi të vetmin gol për Zelandën e Re. Egjipti u rendit i dyti pas barazimit 1-1 me Iranin dhe do të luajë sfidën me eliminim direkt me Australinë. Iranianët gabuan një penallti, ndërsa iu anulua edhe një gol në fund me sistemin VAR, por që pati polemika.
Këto ndeshje u transmetuan në TV Klan dhe Klan Plus.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 