Pavarësisht kundërshtimeve të ardhura nga UEFA, CONCACAF dhe Konfederata Aziatike e Futbollit, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, vazhdon të mbështesë projektin për krijimin e kompanisë së re “FIFA Football Enterprise”, një strukturë që do të bashkojë aktivitetet tregtare dhe organizative të institucionit më të lartë të futbollit botëror.
Sipas “Times”, Infantino jo vetëm që mbetet i vendosur për ta çuar përpara këtë projekt, por edhe e sheh veten në të ardhmen në krye të kompanisë së re, në rolin e komisionerit. Ky funksion do t’i jepte atij kompetenca më të gjera sesa ato që ushtron aktualisht si president i FIFA-s.
Po sipas të njëjtave raportime, drejtimi i “FIFA Football Enterprise” mund t’i sigurojë Infantinos një pagë prej rreth 60 milionë dollarësh në vit.
Ndërkohë, presidenti i FIFA-s vazhdon të promovojë edhe ide të tjera për zhvillimin e futbollit botëror. Pas përfundimit të Kupës së Botës me 48 skuadra, të zhvilluar në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, Infantino ka vlerësuar formatin e ri të turneut dhe ka deklaruar se objektivi i ardhshëm mund të jetë një zgjerim tjetër.
Plani i tij parashikon rritjen e numrit të skuadrave pjesëmarrëse nga 48 në 64, si edhe organizimin e Kupës së Botës çdo dy vjet, në vend të formatit aktual që zhvillohet çdo katër vjet.
/tvklan.al












Botërori 2026 
