Më shumë se 500 milionë kërkesa ka marrë FIFA për biletat e finaleve të Botërorit 2026 që do të mbahet verën e ardhshme në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Një shifër e jashtëzakonshme që, sipas presidentit Gianni Infantino, tregon se sa i rëndësishëm është ky turne.
“Më shumë se gjysmë miliardi kërkesa për bileta për Botërorin 2026 që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Kanada dhe Meksikë, një kërkesë e jashtëzakonshme. Kjo dëshmon që ky botëror do të jetë aktiviteti më i madh sportiv dhe social në histori”.
Për një kërkesë kaq të lartë janë 7 milionë bileta në dispozicion, ku një pjesë e tyre është marrë në fazat e mëparshme. Në fund të dhjetorit ishin rreth 150 milionë aplikime, ndërsa dy javë më vonë kjo kërkesë u trefishua. Infantino tha se kërkesat janë nga të gjitha vendet anëtare.
“Kemi marrë kërkesa nga të 211 vendet anëtare në FIFA. Ne po organizojmë me të gjitha qytetet mikpritëse shumë aktivitete për tifozët që do të vijnë ta ndjekin nga afër Kupën e Botës”.
Pas vendeve organizatore, më shumë kërkesa ka pasur nga Gjermania, Anglia, Brazili, Spanja, Portugalia, Argjentina dhe Kolumbia. Ky do të jetë turneu i parë me 48 ekipe, ku do të luhen 104 ndeshje. Shqipëria është ende në garë për një vend në finalet e Botërorit 2026 që kalon nga play-off, ku më 26 mars do të luajë me Poloninë në Varshavë dhe, nëse e kalon me sukses, ndaj fituesit të takimit Ukrainë – Suedi më 31 mars, po në transfertë. Kupa e Botës 2026 do të transmetohet ekskluzivisht në TV Klan.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
