Shqetësimet për gjendjen strukturore të stadiumit legjendar “Azteca” po shtohen më pak se një muaj përpara nisjes së Kupës së Botës 2026, ku arena ikonike është planifikuar të presë ndeshjen hapëse më 11 qershor.
Sipas gazetës spanjolle “Marca”, ekspertët dhe autoritetet meksikane po monitorojnë me shqetësim lëvizjet graduale të tokës nën Mexico City, një fenomen që mund të ndikojë drejtpërdrejt në stabilitetin e stadiumit.
Media iberike thekson se NASA po përdor satelitë radarë të avancuar për të vëzhguar deformimet e sipërfaqes së Tokës në kohë reale.
Teknologjia e përdorur është në gjendje të zbulojë edhe ndryshimet më të vogla në terren, duke ndihmuar studiuesit të identifikojnë zonat ku infrastruktura mund të përballet me rrezik në rritje.
Ndërkohë, disa dëshmitarë kanë raportuar se dëmtimet në stadium janë bërë më të dukshme gjatë muajve të fundit.
Sipas tyre, fragmente betoni janë shkëputur nga pjesë të ndryshme të strukturës, ndërsa tifozë të ndryshëm kanë marrë copa të stadiumit historik si suvenire, duke shtuar debatet mbi sigurinë dhe ruajtjen e objektit.
Shkencëtarët besojnë se problemi lidhet kryesisht me nxjerrjen e vazhdueshme të ujërave nëntokësore poshtë kryeqytetit meksikan.
Ky fenomen ka shkaktuar prej vitesh fundosje graduale të tokës në shumë zona të qytetit, duke vënë në rrezik ndërtesa dhe infrastrukturë të rëndësishme.
Autoritetet lokale ende nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare mbi ndikimin e mundshëm të situatës në organizimin e ndeshjes hapëse të Kupës së Botës, por monitorimi i stadiumit dhe i zonës përreth vijon intensivisht.
Prezenca e tifozëve në një kapacitet prej pak më shumë se 83 mijë, që pritet të jenë prezent për Meksikë-Afrikë e Jugut mund të ketë një tjetër ndikim në këtë fenomen natyror, për të rrëzikuar seriozisht nisjen e eventit sipas planit të FIFA-s.
Ky kompeticion që do të zhvillohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika dhe Kanadaja do të transmetohet LIVE në ekranin e TV kombëtar Klan.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
