Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten sfidë kryesore e SPAK edhe për këtë vit. Klodian Braho, kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, e evidentoi këtë gjatë raportimit vjetor në Komisionin e Ligjeve për punën e strukturës që drejton.

“Korrupsioni mbetet një fenomen shqetësues, përfshin funksionarë vendorë, të administratës, prokurorë, gjyqtarë, punonjës policie. Çështjet e reja për korrupsionin u rritën me 18%, ndërsa çështjet e përfunduara u rritën me 12%”.

Braho foli me shqetësim edhe për mungesën e bashkëpunimit me institucionet publike:

“Referimet e policisë janë rritur, gjatë këtij viti kemi pasur referime nga Policia e Shtetit. Niveli i bashkëpunimit duhet të intensifikohet më tej, veçanërisht me Policinë e Shtetit, për të garantuar hetime më të koordinuara dhe efikase”.

Ai theksoi se imuniteti i deputetit ndalon vendosjen e masave të sigurimit dhe mund të dëmtojë hetimet e nisura nga organi i akuzës.

“Funksioni publik nuk duhet të bëhet pengesë për hetimin, por edhe hetimi penal nuk mund të përbëjë arsye për paragjykim”.

Mospasja e të drejtës për të riaplikuar pas përfundimit të mandatit si prokuror, sipas kreut të këtij organi, ndikon në vijimësinë e punës në SPAK.

“Nëse nuk kemi të drejtë për të riaplikuar ose vazhdimësi, kjo është problematikë e strukturës dhe vijimësisë së punës”.

Mungesa e kompetencës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja, përfshirë procedurat e ekstradimit, mbetet problematike dhe sipas Brahos ndikon në vijimësinë e hetimeve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Tv Klan

/tvklan.al