Brazili i drejtuar nga Carlo Ancelotti siguroi vendin e parë në Grupin C të Kupës së Botës me një fitore bindëse 3 – 0 ndaj Skocisë. Ndeshja u vendos me golat e Vinicius Junior në pjesën e parë dhe ai i Matheus Cunha në të dytën. Neymar u aktivizua si zëvendësues në Botërorin e katërt për të.

Maroku fitoi 4 – 2 me Haitin pasi përmbysi dy herë disavantazhin gjatë pjesës së parë, duke u kualifikuar në raundin pasardhës. Marokenët patën zotërimin e lojës në pjesën më të madhe të sfidës. Skuadra afrikane e mbylli në vendin e dytë në Grupin C, me të njëjtin numër pikësh si Brazili, por me golavarazh më të dobët.

Skocia, që u rendit e treta, është në pritje të rezultateve të grupeve të tjera për të mësuar nëse do të vijojë garën në këtë Botëror.

Zvicra fitoi 2 – 1 me Kanadanë në Vankuver. Pas pjesës së parë pa gola, Vargas shënoi menjëherë në fillim të pjesës së dytë, ndërsa Manzambi dyfishoi rezultatin në minutën e 57-të.

Kanadaja ngushtoi diferencën me golin e Promise David në të 76-ën, por nuk arriti të barazonte. Zvicra kalon si e para e grupit me 7 pikë, ndërsa Kanadaja si e dyta me 4 pikë.

Bosnje-Hercegovina mundi 3 – 1 Katarin. Boshnjakët nuk hasën shumë rezistencë nga kundërshtarët, duke marrë 3 pikët dhe u kualifikuan si një nga vendet e treta më të mira, ndërsa Katari u eliminua.

Afrika e Jugut bëri surprizën duke mposhtur Korenë e Jugut 1 – 0 dhe u kualifikua në fazën me eliminim direkt, ku do të përballet me Kanadanë. Golin vendimtar e shënoi Maseko në pjesën e dytë. Është një rezultat historik për afrikanët, që nuk kishin kaluar fazën e grupeve në Botërorin e vitit 2010. Koreja e Jugut, të cilës i mjaftonte një barazim për vendin e dytë, përfundoi e treta me 3 pikë dhe rrezikon eliminimin.

Meksika e mbylli me pikë të plota fazën e grupeve, pasi mundi Çekinë 3 – 0. Çekët e mbyllën Kupën e Botës me vetëm 1 pikë dhe u eliminuan. Në fund të ndeshjes, portieri veteran Ochoa u aktivizua për t’u përshëndetur me tifozët në Botërorin e tij të gjashtë, po aq sa Ronaldo dhe Messi.

Deri më tani janë 13 ekipet e kualifikuara në fazën me eliminim direkt. Këto takime u transmetuan në TV Klan dhe Klan Plus.

Tv Klan

/tvklan.al