Kjo e shtunë ka shënuar numrin rekord të turistëve të huaj dhe pushuesve shqiptarë që i janë drejtuar bregdetit të Shëngjinit.

Sipas statistikave të operatorëve turistikë, në hotelet e zonës nuk ka asnjë vend të lirë, ndërsa veç turistëve nga Kosova, Maqedonia dhe disa vende evropiane drejt bregdetit të Shëngjinit kanë vërshuar disa dhjetëra mijë pushues nga Shkodra, Laçi, Durrësi, Elbasani, Fieri, Lushnja, madje edhe nga Vlora.

Sipas pushuesve dhe operatorëve turistikë, tërheqja e pazakontë e këtij sezoni lidhet me përmbushjen e pritshmërive të vetë pushuesve nga ana e biznesit të hotelierëve, pastërtinë e ujit dhe rërës, furnizimin pa ndërprerje me ujë të pijshëm, energji elektrike, etj.

“Kushtet janë të mira, koha është e mirë, shërbimi janë në nivel, vizitorë ka mjaft. Çdo vit kushtet janë më të mira. Po ashtu koha dhe resortet janë më tepër, kushtet më të mira nëpër hotele në krahasim me bregdete të tjera kushtet janë të mira sidomos për familjen”.

“Shikohet vetvetiu nga fluksi i madh i turistëve dhe i pushuesve qoftë nga Kosova, Maqedonia. Po këtu ka pushues edhe nga Rusia, ka dhe nga shtete të tjera, të cilët unë për fat të mirë dhe i kam takuar, kam bashkëbiseduar me ta. Dhe unë jam qytetar i Tiranës po frekuentoj jashtëzakonisht plazhin e Shëngjinit. Për vitin tjetër shpresojmë dhe besojmë në premtimin që ka bërë kryeministri dhe kryetari i komunës. Këtu do bëhet një shëtitore shumë shumë e bukur. Do bëhet rruga e Kunës. Mund të lidhet dhe rruga me Velipojën, kështu që Shëngjini do kthehet në epiqendër të turizmit shqiptar”.

Po ashtu, investimet e kryera nga komuna e Shëngjinit, si dhe shërbimet e ofruara prej saj, cilësohen nga operatorët si çelësi i suksesit të këtij sezoni turistik.

Sokol Maluta: “Ky vit ishte një vit i mirë, i kënaqshëm. Falë punës edhe të komunës së Shëngjinit, falë edhe investimeve të qeverisë shqiptare mendoj që ishte një vit i mirë, duke llogaritur edhe kriza globale që vërtetë është prezente”.

Astrit Nimani: “Ne jemi shumë të kënaqur në këtë sezon turistik, sidomos nga një dyndje e madhe nga populli i Kosovës, Maqedonisë, shqiptarët tonë, ne nuk kemi vend. Çdo gjë është kapaciteti 100%”.

Pritshmëritë e këtij sezoni veror në Shëngjin janë tejkaluar, ndërsa po punohet për të zgjatur sezonin turistik gjatë gjithë vitit, për të bërë këtë zonë ndër më të veçantat e vendit.

Salvador Kaçaj: “Me përfundimin e veprave që janë historike të infrastrukturës, Shëngjini do të reformohet, do të jetë një plazh i elitës kombëtare. Unë do të ftoj të gjithë shqiptarët dhe gjithë turistët që Shëngjinin ta vizitojnë edhe në sezonin e dimrit, sepse ne kemi edhe lagunën dhe gjithë Tirana gjatë gjithë dimrit frekuentohet laguna Vain dhe laguna e Kunës, pra ne presim turistët gjatë gjithë vitit.

Që nga muaji maj dhe deri më sot i gjithë bregdeti i Shëngjinit prej 13 kilometrash është frekuentuar mesatarisht nga 25 mijë pushues çdo ditë, shifër kjo është shumë herë më e lartë se një vit më parë./tvklan.al