Vlora tashmë është në ditët më të ngarkuara të sezonit turistik.
“Sezoni turistik i këtij viti tashmë është në kulmin e tij. Në këto ditë gushti, Vlora, e renditur si një nga qytetet më të preferuara të jugut të vendit, po numëron një numër të konsiderueshëm vizitorësh vendas, por gjithashtu edhe nga e gjithë bota, të cilët zgjedhin plazhet për të pushuar”, raporton gazetarja Greta Haskaj.
Zonat me përqendrim më të lartë turistik si: Lungomare, Uji i Ftohtë, Radhima dhe Orikumi janë të mbushura me pushues. Temperaturat e larta dhe moti i favorshëm kanë bërë që plazhet e Vlorës të jenë ndër destinacionet më të preferuara për pushime.
Të huajt nga vende të ndryshme përbëjnë një pjesë të rëndësishme të fluksit, duke zgjedhur Vlorën për pushimet e tyre verore.
“Vimë nga Republika Çeke. Ne kemi një mënyrë të veçantë pushimesh, nuk udhëtojmë me avion, por me kamper. Kemi zgjedhur Zvërnecin. Bregdeti i Vlorës është më i qetë krahasuar me plazhe të tjera në Shqipëri. Ne kemi qenë këtu edhe vitin e kaluar dhe pamë që Ksamili ishte shumë i mbipopulluar. Zgjodhëm Vlorën sepse kemi tre fëmijë të vegjël dhe na duhet qetësi”.
Për këdo që zgjedh Vlorën për të pushuar, Zvërneci mbetet një nga destinacionet më të kërkuara këtë sezon, i cili po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë, jo vetëm për plazhet, por edhe për qetësinë që ofron.
Fluksi i lartë i turistëve konfirmohet gjithashtu nga të dhënat e portit të Vlorës, ku çdo ditë hyjnë rreth 1 mijë e 300 pasagjerë dhe dhjetëra automjete, çka është reflektuar edhe në radhë të gjata trafiku.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 