Rritja e konfliktit me vende mike si Danimarka, Franca dhe Gjermania është “thellësisht budallallëk” dhe një lëvizje që do t’i dëmtojë vetë Shtetet e Bashkuara. Kështu shprehet Ian Bremmer, analist i njohur i rreziqeve globale dhe themelues i think tank-ut Eurasia Group, një nga zërat më me ndikim në Uashington.

Sipas Bremmer, Donald Trump beson se duke vendosur tarifa ndaj aleatëve evropianë do t’i detyrojë ata të tërhiqen për të shmangur konfliktin me SHBA-të.

“Ky është një arsyetim afatshkurtër, jo strategji. Në planin afatgjatë, Shtetet e Bashkuara do të dalin keq”, thotë ai.

Bremmer paralajmëron se sjellja e Trump po e kthen gjeopolitikën në “ligj xhungle”. Presidenti amerikan, sipas tij, është i bindur se më i forti mund të bëjë çfarë të dojë.

“Por Trump nuk është më i forti. Ai është Xi Jinping”, shprehet analisti, duke theksuar se Kina nuk ka zgjedhje afatmesme, kufizime nga gjyqësori apo kufizim mandatesh si SHBA-të.

Kjo situatë, sipas Bremmer, po i shtyn disa vende drejt Pekinit. Ai përmend rastin e Kanadasë, ku Mark Carney ka arritur së fundmi një marrëveshje me Kinën për sojën dhe automobilat.

Por pse Trump këmbëngul për Groenlandën? Sipas Bremmer, arsyeja nuk është strategjike, por personale.

“Ego dhe mosha, jo domosdoshmëria”, thotë ai. “Nëse SHBA-të do ta kishin realisht të nevojshme Groenlandën, mjaftonte një telefonatë me kryeministren daneze për të arritur një marrëveshje”, shtoi analisti.

Ai zbulon se Uashingtoni as nuk ka tentuar realisht të negociojë me Danimarkën apo Groenlandën. “Plani i vetëm është të rrisë vazhdimisht presionin”, shton Bremmer, duke e lidhur këtë sjellje me faktin se Trump është afër të 80-ave, ka kaluar dy atentate dhe ndjen nevojën të lërë gjurmë historike me emrin e tij.

Sipas analistit, suksesi i Trump në Venezuelë i ka dhënë atij ndjesinë e paprekshmërisë. “Ai është bindur se mund të përdorë fuqinë amerikane për të ndryshuar fatin e çdo vendi më të dobët”, thotë Bremmer.

Strategjia e sigurisë kombëtare e publikuar në nëntor, sipas tij, ishte vetëm korniza. “Venezuela ishte trofeu i parë. Tani Trump synon Kubën dhe Groenlandën”, shpjegon ai.

Në këtë logjikë, Groenlanda është bërë më e rëndësishme për Trump sesa NATO, Ukraina apo Tajvani. Jo për arsye të deterrencës apo për pasuritë natyrore, por sepse zgjerimi i sferës së ndikimit amerikan është, sipas Bremmer, “një faqe historie ku Trump dëshiron të shkruajë emrin e tij”.

/tvklan.al