Nga Ursula von der Leyen te Michel, Europa mbështet Italinë në finale

Brexit është ende një plagë për Kontinentin e Vjetër. Dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian ka lënë një shije të hidhur te homologët e tyre të Europës, që duket se do të jetë tërësisht në mbështetje të Italisë në finalen e Euro 2020 kundër Anglisë. Pas mbështetjes nga trajneri i Spanjës, Luis Enrique, kombëtarja e drejtuar nga Roberto Mancini ka marrë suportin e liderëve të Bashkimit Europian. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel kanë pranuar përmes zëdhënësve të tyre se zemra e tyre në këtë finale do jetë blu.

Mbështetje mjaft e dukshme pas tensioneve midis qeverisë britanike dhe Bashkimit Evropian për Brexit. Ndërkohë në Francë është bërë një sondazh për këtë fakt, me gazetën “L’Equipe” që ka publikuar rezultatet e saj. 60% do mbështesin Italinë e 20% Anglinë. Edhe danezët janë kundër Anglisë, pas asaj penalltie bujare në favor të “Tre Luanëve” që i kushtoi eliminimin nga Europiani. Megjithatë, mbështetja për Anglinë do jetë e madhe në stadium, pasi në “Wembley” priten rreth 50 mijë tifozë anglezë.

Klan News