Mbretëria e Bashkuar u ka dërguar njoftime me shkrim rreth 100 mijë ish-pjesëtarëve të ushtrisë, për t’i përgatitur ata për mundësinë e mobilizimit në rast lufte.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ues Streeting, deklaroi për Sky se ky veprim synon të verifikojë nëse të dhënat personale të këtyre veteranëve janë ende të sakta, si dhe të mësojë se çfarë përvojash apo aftësish mund të kenë fituar ata që nga largimi nga Forcat e Armatosura.

Ai theksoi se kontakti me të ashtuquajturën “Rezervë Strategjike” është një hap i arsyeshëm, duke pasur parasysh kërcënimet me të cilat përballet Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj, por kjo nuk duhet interpretuar si një sinjal se lufta është e pashmangshme.

Sekretari britanik i Mbrojtjes reagoi publikisht pasi gazeta “The Telegraph” zbuloi se këto njoftime u ishin dërguar veteranëve, në një kohë kur tensionet me Rusinë dhe Iranin janë përshkallëzuar.

“Rezerva Strategjike” është konceptuar si një shtyllë thelbësore e mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar në kohë lufte. Ata mobilizohen për të mbështetur forcat e rregullta dhe rezervistët e rregullt, të cilët në rast lufte, do të dërgoheshin në vijën e parë të frontit.

/tvklan.al