Brukseli e ka konsideruar në përputhje me ligjin e Bashkimit Europian dërgimin në Shqipëri të 40 emigrantëve që do të presin në qendrën e Gjadrit deri në riatdhesimin e tyre.

Eurodeputetja e Partisë Demokratike italiane, Cecilia Strada në opozitë i kërkoi shpjegime Brukselit për arsyen e prangosjes së emigrantëve gjatë zbritjes në Shqipëri, por një zëdhënës i BE-së deklaroi se zhvillimet janë duke u verifikuar.

 “Jemi në dijeni të zhvillimeve të fundit në lidhje me dekretin që rregullon CPR-të në Shqipëri dhe, sipas informacioneve tona, ligji kombëtar italian do të zbatohet për qendrat, siç ka ndodhur deri më tani për azilin. Në parim, kjo është në përputhje me ligjin e BE-së”, thuhet në reagimin e BE-së.

Të gjitha partitë e opozitës italiane e kanë kundërshtuar kthimin e kampit të Gjadrit në një CPR që do të strehojë emigrantë në pritje të riatdhesimit. Sipas tyre kjo nuk është një zgjidhje duke qenë se kostot për transportin e tyre dhe të personelit do të rëndojnë më shumë buxhetin.

Pasditen e së premtes anija Libra solli 40 emigrantët të cilët do të mbahen në Gjadër për të paktën 18 muaj derisa të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Sipas autoriteteve italiane ata janë tunizianë, egjiptianë, Bangladeshas, pakistanezë, algjerianë, gjeorgjianë, nigerianë dhe moldavë.

TV Klan