Pas finalizimit të ekstradimit të parë nga Dubai drejt Shqipërisë, ministri i Brendshëm, Taulant Balla është shprehur se kjo është bërë e mundur pas aplikimit të një metode komunikimi mes Interpol Tiranës dhe Abu Dabit, të cilën e quan “deportim” apo “ekstradim i thjeshtuar”.

Gjatë fjalës së tij në një prononcim për gazetarët pas komunikimit të vendimeve të Këshillit të Ministrave, Balla ka thënë se rasti i sotëm i jep fund konsiderimit të Emirateve të Bashkuara Arabe si një oaz ku persona me rrezikshmëri kriminale, i shmangen drejtësisë.

Pyetje: A ka filluar zbatimi i marrëveshjes së ekstradimit me Dubain?

Taulant Balla: Prej disa muajsh, kemi filluar bashkëpunim intensiv me Interpolin, kryesisht kundër trafikut të narkotikëve dhe një fokus i ri në gjetjen e personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Po punojmë me Ministrinë për të hapur shtigje të reja me vende që nuk kemi marrëveshje. Instrumentat e vendosura nga Interpoli, na bëjnë të mundur që edhe me vend sikur Emiratat e Bashkuara, të përdorim metoda të tjera që do t’i quaja “Ekstradim i thjeshtuar” që ka të bëjë me një metodë komunikimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dabit dhe bëhet fjalë për një deportim. Pala e Emiratave të Bashkuara e sjell deri në aeroportin e Dubait dhe nga ai moment e më pas, përmes avionit, dorëzohet në aeroportin e Rinasit. Nuk hezitoj ta quaj një arritje të Policisë së Shtetit dhe Inteprol Tiranës sa kohë që ishte konsideruar ky vend si një oaz ku personat me problematikë kriminale të kërkuar me qiri nga drejtësia, kishin gjetur mundësi për të ju fshehur drejtësisë. Rasti i sotëm i jep fund konsiderimt të këtij vendi si një oaz i fshehur për t’iu shmangur drejtësisë dhe i japim fund një kulture pandëshkueshmërie. Pas rreth 1 muaji, pasi jemi duke negociuar dokumentat do të jem zyrtarisht në Emiratat e Bashkuara për të çuar më tej negocimin e një marrëveshje në fushën e ekstradimeve për të çuar përpara këtë hap të arritur sot.

Ministri Balla ka hedhur poshtë mundësinë që i ekstraduari nga Dubai në Shqipëri, Bruno Çobo, të jetë vetëdorëzuar.

Pyetje: Ju në fakt e quajtët arritje tuaj, por në fakt a ka qenë arritje e institucioneve tuaja apo ka kërkuar vetë i shumëkërkuari të vetëdorëzohet?

Taulant Balla: Një prej objektivave të mia, është që për personat në kërkim, koha e gjetjes së një personi të jetë e shkurtër. Po negociojmë me Emiratet e Bashkuara edhe një marrëveshje në fushën e financimit në Shqipëri të një sistemi të monitorimit me kamera dhe radarë të rrugëve dhe të qyteteve për të pakësuar numrin e policiëve në rrugë dhe për të rritur nivelin e sigurisë të monitorimit. Nga autoritetet e këtij vendi partner, të cilëve ju kemi dorëzuar një listë me persona që kërkohen nga drejtësia, jemi në komunikim edhe për raste të tjera. Për rastin në fjalë na është komunikuar që personi do të ekstradohet në mënyrë të thjeshtuar në orën dhe datën e caktuar. Pasi persona që kapen, thonë që kam dashur të dorëzohem vetë. Personi është në kërkim ndërkombëtar.

Bruno Çobo akuzohet nga SPAK se në bashkëpunim me 16 persona të tjerë kanë arritur që të mashtrojnë mijëra qytetarë italianë duke përfituar miliona Euro./tvklan.al

/tvklan.al