Banka e Shqipërisë ka vijuar ndërhyrjet në tregun valutor edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, si pjesë e strategjisë për forcimin e rezervës valutore dhe garantimin e stabilitetit financiar. Ndërhyrjet nuk synojnë përcaktimin e kursit të këmbimit, por rritjen e rezervave dhe zbutjen e luhatjeve të forta që mund të cenojnë funksionimin normal të tregut.
Gjatë tre muajve të parë të vitit, banka organizoi tre ankande për blerjen e valutës, njëri prej tyre me instrumentin “forward” me afat njëmujor. Në këto ankande u blenë gjithsej 44.1 milionë euro, ose mesatarisht 14.3 milionë euro për ankand, një nivel më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Paralelisht, Banka e Shqipërisë ndërhyri edhe drejtpërdrejt në tregun valutor për të përmbushur objektivat e politikës monetare dhe të stabilitetit financiar. Në total, përmes katër ndërhyrjeve të tilla u blenë edhe 95.5 milionë euro, duke e çuar vlerën e përgjithshme të blerjeve gjatë tremujorit në 139.6 milionë euro.
Sipas kalendarit të publikuar, gjatë gjithë vitit 2026 Banka e Shqipërisë synon të blejë nga 330 deri në 450 milionë euro përmes ankandeve. Ekspertët vlerësojnë se rritja e rezervës valutore i jep ekonomisë një mbrojtje më të fortë ndaj goditjeve të jashtme, rrit besimin në sistemin financiar dhe i krijon Bankës së Shqipërisë më shumë hapësirë për të reaguar në raste tensioni në tregjet financiare.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 