Kredia e re për ekonominë është rritur ndjeshëm në tre muajt e parë të vitit 2026, duke reflektuar një kërkesë të fortë për financim në vend. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vetëm në muajin mars arriti në rreth 40 miliardë lekë, ose 10.5% më shumë se një vit më parë, niveli më i lartë mujor i regjistruar gjatë vitit. Në total, përgjatë të gjithë kësaj periudhe, sektori bankar ka dhënë rreth 98.6 miliardë lekë kredi.

Huadhënia për individët shënoi rritjen më të shpejtë, duke arritur në 12.57 miliardë lekë, rreth 20.8% më shumë se në vitin 2025. Ndërkohë, kreditë e reja për biznesin privat arritën në 27.24 miliardë lekë në mars, ose rreth 6.9% më shumë.

Paralelisht me kreditimin, edhe depozitat bankare vijojnë trendin rritës. Në fund të marsit ato arritën në rreth 1.49 trilionë lekë, me rritje më të fortë të kursimeve në monedhën vendase, ndërsa depozitat në valutë mbeten më të dobëta. E parë sipas qarqeve, Banka e Shqipërisë raporton se kursimet gjatë këtij viti janë përqendruar kryesisht në Tiranë, me rreth 10 miliardë euro depozita të reja. Pas saj renditen Durrësi, Vlora dhe Fieri.

Megjithatë, një zhvillim që tërheq vëmendje është rritja e parasë jashtë sistemit bankar, e cila sipas Bankës së Shqipërisë në fund të muajit mars arriti në 482.7 miliardë lekë, mbi 11.2% më shumë se një vit më parë, duke reflektuar një prirje në rritje të qytetarëve për të mbajtur para cash.

Tv Klan

/tvklan.al