Kreditë me probleme në muajin Shkurt të këtij viti shënuan një ulje të lehtë duke arritur në total në 4,69% duke regjistruar nivelin më të ulët historik, teksa në Janar ishin në nivelin prej 4,88%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, të njëjtën trajektore në rënie gjatë muajit Shkurt ka ndjekur edhe treguesi i huave me probleme neto të kapitalit rregullator, që u regjistrua në 5,58% të totalit nga 5.77% në Janar.

Gjysma e dytë e vitit 2023 shënoi rritje të kujdesit të bankave në miratimin e kredive, por edhe ndryshim të sjelljes së biznesit e të individëve, të cilët u orientuan nga kreditimi në Lekë, kundrejt huave në monedhën evropiane.

Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit të kaluar kreditë me probleme u luhatën në intervalin mbi 5%, duke arritur një maksimum prej 5,3% në muajin Gusht. Megjithatë cilësia e portofolit të kredive është përmirësuar më tej gjatë fundit të 2023, duke rrëzuar pritshmëritë fillestare sipas të cilave rritja në nivele rekord e normës bazë të interesit në 3,25% do shtonte kreditë me probleme.

Duke iu referuar këtyre indikatorëve financiarë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e fundit vendosi të mbajë përsëri të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3.25%.

Klan News