“Edhe investimet e huaja shënuan rekord prej 1.49 mln Euro”

Turizmi në Shqipëri gjatë vitit 2023 përveç numrit të lartë të mbi 10 milionë turistëve të huaj, solli edhe mjaft të ardhura në ekonominë e vendit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë vetëm gjatë 3 mujorit të fundit të vitit të kaluar u arkëtuan rreth 958 milionë Euro, ndërsa në total gjatë gjithë vitit të ardhurat nga turizmi arritën në 4.1 miliardë Euro. Kjo vlerë ishte pothuajse dyfish më shumë krahasuar me të ardhurat nga turizmi të vitit 2022.

Në raport Banka e Shqipërisë evidenton se gjatë tremujorit të katërt të 2023, udhëtarët rezidentë shqiptarë dhe të huaj kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit 582 milionë Euro.

Shërbimet e udhëtimit gjenerojnë respektivisht 61% të flukseve valutore në hyrje dhe rreth 72% të shpenzimeve të kategorisë së shërbimeve.

Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë vërehet se shërbimet e udhëtimit u mbyllën me sufiçit prej 376 milionë Euro, kundrejt atij prej 226 milionë Euro një vit më parë.

Banka e Shqipërisë parashikon që sektori i turizmit do të ketë ndikim edhe në rritjen ekonomike përgjatë këtij viti ndërsa shërbimet konsiderohen një ndër sektorët që do të jap kontribut në uljen e papunësisë në vend.

Gjithashtu investimet e huaja direkte arritën një rekord të ri historik për vitin 2023. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ato regjistruan vlerën e 1.49 miliardë Eurove, me rritje prej 8.7% krahasuar me vitin 2022.

Edhe tremujori i fundit i 2023 shënoi një vlerë rekord për sa i takon flukseve tremujore të investimeve. Më konkretisht investimet e huaja direkte u vlerësuan nga Banka e Shqipërisë në 402 milionë Euro, me rritje vjetore prej 3.6%.

Ndërkohë që kategoria e fitimit të riinvestuar u zgjerua me 13% në terma vjetorë dhe arriti vlerën e 226 milionë Eurove evidentohet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

Klan News