Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që të mos e ndryshojë normën bazë të interesit, duke e lënë në 2.75%. Guvernatori Gent Sejko në një dalje publike për median tha se vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje.

“Sipas të dhënave të INSTAT-it, punësimi në tremujorin e katërt shënoi një rritje vjetore prej 1.8%, ndërsa pagat në sektorin privat u rritën me 9.5%”, shprehet Guvernatori Gent Sejko.

Teksa tha se inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rënie të lehtë në dy muajt e parë të vitit 2025, duke qëndruar në nivelin mesatar prej 1.9%, guvernatori paralajmëroi për rreziqet që mund të vijnë nga vendosja e tarifave të mallrave nga ana e SHBA-ve.

“Tensioni i lartë gjeopolitik dhe rritja e mundshme e barrierave e tarifave tregtare, mund të sjellin një goditje oferte me pasoja potenciale negative në rritjen ekonomike dhe inflacion”, thotë Sejko.

Sa i përket kreditimit, Sejko bëri të ditur se është vënë re një shtim i kredisë në valutë nga bizneset duke shënuar një rritje me 20% në dy muajt e parë të vitit. Gjithashtu, treguesi i kredive me probleme zbriti në 4.06% në muajin Shkurt, një minimum i ri historik prej më shumë se një dekade.

Tv Klan