Rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë vijojnë të rriten, duke reflektuar një pozicion më të fortë financiar për vendin. Në mars 2026 ato arritën në 7.42 miliardë euro, nga 7.32 miliardë në fillim të vitit, duke prekur një tjetër nivel historik.

Në një horizont më të gjerë, rritja është edhe më e dukshme. Nga 5.68 miliardë euro në janar 2024, rezervat janë zgjeruar gradualisht, duke kaluar në mbi 7 miliardë euro gjatë vitit 2025 dhe duke u konsoliduar më tej në muajt e parë të 2026-ës. Vetëm gjatë një periudhe tremujore, shtesa ka qenë mbi 1 miliard euro, një sinjal për stabilitet më të lartë makroekonomik dhe rritje të besimit në ekonomi.

Por jo të gjithë komponentët kanë ndjekur të njëjtin trend. Ari monetar ka pësuar rënie të ndjeshme. Nga 513 milionë euro në shkurt, ai zbriti në 465 milionë euro në mars, rreth 10% më pak. Kjo luhatje lidhet kryesisht me ndryshimet në çmimet ndërkombëtare dhe menaxhimin aktiv të portofolit rezervë.

Ndërkohë, struktura e rezervave tregon një rritje të fortë të investimeve në letra me vlerë dhe tituj borxhi. Në mars 2026, këto instrumente arritën në 6.59 miliardë euro dhe 5.65 miliardë euro respektivisht, ndjeshëm më shumë krahasuar me një vit më parë. Kjo tregon një orientim drejt instrumenteve më likuide dhe më të sigurta në tregjet ndërkombëtare.

Në tërësi, të dhënat konfirmojnë një strategji më aktive të menaxhimit të rezervave, që synon ruajtjen e stabilitetit financiar dhe përballimin e goditjeve të mundshme nga jashtë.

Tv Klan

/tvklan.al