Bankat e nivelit të dytë akorduan për sektorin e bujësisë 20.1 mld lekë hua vetëm për tremujorin e parë të vitit, me një rritje prej 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pavarësisht nivelit të lartë të normave të interesit. Ky tregues erdhi si rrjedhojë e nevojës për investime, ku fokusi janë eksportet jashtë vendit.

Me një kontribut në rritje në ekonominë e vendit, punësimin dhe eksportet, bujqësia është kthyer tashmë në vëmendjen e plotë të politikave të qeverisë duke sjellë interes të shtuar edhe të biznesit për sipërmarrje të reja në sektorë si agropërpunimi. Kështu për muajin mars bankat dhanë 53.6 mld lekë kredi me një rritje në masën 7.4% krahasuar me një muaj më parë.

Huamarrja është realizuar vetëm në monedhën vendase për 61% të ndërmarrjeve të vogla, 58% të ndërmarrjeve të mesme dhe 43% të ndërmarrjeve të mëdha, ndërkohë që pjesa tjetër është në valutë ose e kombinuar.

Ekspertët presin që huadhënia të zgjerohet edhe më shumë për periudhën në vijim, nxitur edhe nga skemat e mbështetjes që po aplikon qeveria në bashkëpunim me programet e huaja. Në kushtet e pamundësisë së aksesit në bankat tregtare për shkak të faktorëve si mungesa e garancive dhe kolateraleve për huatë apo fragmentimi i lartë i tokës, qeveria akordoi 1 miliard lekë mbështetje për fermerët në formën e garancisë sovrane.

Tv Klan