Pezullohet shpërndarja e fitimit të bankave edhe për vitin 2021

Banka e Shqipërisë ka shtyrë deri në fund të Marsit vendimin e marrë gjatë kulmit të pandemisë, ku i jep mundësi bankave të mbajnë të njëjtin klasifikim për kreditë që kanë ristrukturuar në raport me provigjonimin e tyre.

Ky vendim u lehtëson kredimarrësve që të mos klasifikohen si kreditorë të këqinj, ndërsa bankat nuk duhet të mbajnë para të bllokuara për të siguruar kredinë që nuk paguhet.

Vendimi i miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës ishte një kërkesë e Shoqatës së Bankave, e cila kërkonte që zgjatja e afatit të ishte për një vit tjetër.

Në të njëjtën mbledhje, bordi drejtues i Bankës Qendrore ka marrë si vendim të ndalojë shpërndarjen e fitimit të vitit 2020 dhe 2021 të bankave, si masë për t’i paraprirë risqeve që mund të ketë për sistemin bankar rritja potenciale e kredive me probleme.

Në fund të Nëntorit 2020 fitimi i bankave arriti 143 milionë Dollarë, duke u tkurrur me 20% krahasuar me një vit më parë, ndërsa niveli i kredive me probleme ishte 8.2% ndaj totalit të portofolit, duke ndjekur të njëjtën trajektore përgjatë gjithë vitit.

Tv Klan