Në 6-mujorin e dytë të vitit të shkuar, aktiviteti bankar u zgjerua me rreth 5% dhe në terma vjetorë me gati 7% sipas raportit të Bankës së Shqipërisë.

Referuar këtij institucioni, kontributi pozitiv në këtë rritje erdhi nga investimet në tituj dhe kreditimi.

Nga ana tjetër, teprica e kredisë bankare u zgjerua gjatë 6 muajve të fundit me 5.4%, për t’u ngjitur në nivelin e 830 miliardë Lekëve, ndërsa në terma vjetorë rritja e kredisë ishte 12.8%.

Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, rritja është regjistruar në të gjithë sektorët dhe monedhat dhe është përqëndruar kryesisht në kreditë afatgjata.

Ristrukturimet e kredive dhe largimet nga bilanci të kredive të humbura kanë vijuar, duke bërë që vëllimet e ristrukturimeve të bien, ndërsa ato të fshirjeve ishin të krahasueshme me periudhën e kaluar.

Teprica e kredisë së pambrojtur në valutë u rrit me 2.4% në terma gjashtëmujorë dhe me 1.5% në krahasim me një vit më parë, nënvizon Banka e Shqipërisë.

Kontributin kryesor në këtë ecuri e ka dhënë zgjerimi i kredisë së pambrojtur në valutë për bizneset, ndërsa kredia e pambrojtur në valutë për individët është tkurrur lehtë në 6-mujorin e fundit të 2024.

Kredia e re e dhënë gjatë periudhës ishte më e lartë se ajo e një viti më parë, me kontributin kryesor pozitiv nga kredia në Euro.

Edhe kredia e re për individët u rrit në terma vjetorë dhe gjashtëmujorë, por me ritme më të ngadalta.

Ndër të tjera, kredia për individë ka shkuar kryesisht për blerjen e pasurive të paluajtshme, trend i cili vijon të jetë në rritje vitet e fundit referuar të dhënave zyrtare.

Norma mesatare e interesit për kreditë e reja në Lek ishte 6.9%, ndërsa për ato në Euro rezultoi  6.1%.

Klan News