Me projektligjin “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, i cili është hedhur për konsultim publik, financimi i sektorit nuk do të varet më nga vendime të veçanta vjetore të qeverisë.

Funksionimi i ri mbështetet në një Dokument Strategjik 7-vjeçar, me tregues dhe pikësynime të matshme, i cili zbatohet nëpërmjet Programit të Mbështetjes. Për vitet 2026-2029, efekti financiar vlerësohet në rreth 24 miliardë lekë.

“Ndërhyrjet ndahen në dy kategori: ndërhyrjet vjetore për sipërfaqe ose krerë, që i nënshtrohen kushtëzimit dhe administrohen nëpërmjet SIAK (Sistemit të Integruar të Administrimit dhe Kontrollit), dhe ndërhyrjet strukturore e zhvillimore, që bazohen në projekte, plane biznesi ose programe pune. Ndërhyrjet e kategorisë së parë u jepen vetëm fermerëve aktivë.

Për fermerët e vegjël që përfitojnë pagesën e thjeshtuar parashikohet përjashtim nga kushtëzimi, ndërsa mospërputhjet me pasoja të parëndësishme trajtohen me mekanizmin e ndërgjegjësimit. Për hyrjen në sektor të fermerëve në moshë të re ofrohet një paketë e integruar me akses nëpërmjet një pike të vetme kontakti.”

Për të garantuar që paratë shkojnë te fermerët që punojnë realisht tokën, ligji vendos “kushtëzimin”, pra lidhjen e pagesave vjetore me respektimin e standardeve mjedisore, shëndetit të bimëve e kafshëve dhe praktikave të mira bujqësore.

“Sistemi i Integruar i Administrimit dhe Kontrollit përbëhet nga identifikimi i parcelave bujqësore, aplikimi gjeohapësinor, monitorimi i sipërfaqeve, Regjistri i Fermave, Regjistri i Kafshëve dhe Kadastra e Vreshtarisë. Vendoset parimi që të dhënat të mblidhen një herë të vetme dhe të ripërdoren nga autoritetet publike. Skemat ekzistuese vazhdojnë deri në zëvendësimin e tyre, por jo më vonë se 24 muaj nga hyrja në fuqi.”

Për më shumë transparencë, çdo vit do të publikohet lista e përfituesve dhe raporti i zbatimit, ndërsa rikuperimi i pagesave të padrejta do të ekzekutohet me interes.

Tv Klan

/tvklan.al