Irani ka përgjysmuar kapacitetin e prodhimit të raketave balistike, duke prodhuar aktualisht rreth 50 të tilla në muaj, krahasuar me periudhën para luftës.

Ky është vlerësimi i agjencive perëndimore të inteligjencës, i raportuar nga mediat izraelite, pak para se Teherani të prezantonte një bazë të re nëntokësore të raketave. Sipas burimeve të cituara nga Bloomberg, pavarësisht dëmeve të mëdha që ushtria konvencionale iraniane ka pësuar nga fushata e përbashkët ajrore e SHBA-ve dhe Izraelit, e nisur në shkurt, vendi disponon ende të paktën 1,700 raketa balistike dhe vijon prodhimin e tyre.

Raporti vlerëson se Irani ka lëshuar që nga fillimi i luftës më shumë se 2,200 raketa balistike dhe mbi 4,900 dronë Shahed. Sulmet ndaj forcave amerikane dhe aleatëve të tyre në Lindjen e Mesme kanë detyruar Uashingtonin të përdorë të paktën 1,000 raketa interceptuese Patriot. Këto sisteme kanë një kosto prej rreth 4 milionë dollarësh për njësi, ndërsa prodhimi vjetor arrin në afërsisht 650 raketa.

Përdorimi i rezervave amerikane ka ndikuar edhe në sasinë e armatimeve të disponueshme në rajone të tjera, megjithëse SHBA-të vijojnë të kenë rezerva të konsiderueshme bombash me precizion të lartë dhe raketash lundruese.

Ndërkohë, mediat iraniane raportuan se Forcat Hapësinore të Gardës Revolucionare prezantuan për gazetarët një bunker nëntokësor, ku ruhen raketa balistike dhe raketa lundruese, së bashku me sistemet përkatëse të lëshimit. Në prezantimin e kësaj infrastrukture morën pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit, gjeneralmajor Ali Abdollahi, dhe komandanti i Forcave Hapësinore të Gardës Revolucionare, gjeneral brigade Majid Mousavi.

Zëdhënësi i Gardës Revolucionare, gjeneral brigade Hossein Mohebbi, ka deklaruar së fundmi se të gjitha impiantet e prodhimit të raketave dhe dronëve do të zhvendosen në ambiente nëntokësore. Kjo lëvizje shihet si një përpjekje e Teheranit për të mbrojtur kapacitetet e tij ushtarake nga sulmet e mundshme të SHBA-ve dhe Izraelit, ndërsa vendi synon të ruajë aftësinë për të prodhuar armatime edhe pas dëmeve të shkaktuara nga lufta.

/tvklan.al