Gjykata e Posaçme la në qeli pa afat 5 nga 6 personat që u vunë në pranga të premten me kërkesë të SPAK, si pjesë e një grupi që trafikoi 6 ton kokainë nga Amerika Latine drejt Bashkimit Europian.

Për dy vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani, Ermir Ndrejajn, Erion Alibejn dhe Plaurent Dervishin, masat u lanë në fuqi. Ndërsa Ilir Lloshi u lirua menjëherë pasi rezultoi se ishte arrestuar gabimisht dhe nuk ishte i njëjti me atë për të cilin ishte lëshuar masa në mungesë.

Në kërkim për këtë dosje është shtetasi Elidon Skëndaj, i njohur me emrin Devid Patrut alias Boraj, për të cilin SPAK dyshon se ndodhet në Dubai.

Rastet e trafikut të drogës të goditura nga autoritetet ndërkombëtare datojnë nga vitet 2020-2021 dhe u dokumentuan si rezultat i zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin Sky.

Gjithashtu, këta persona, për të mos lënë asnjë gjurmë nga aktiviteti i tyre kriminal, përdornin sistemin Hawala për shmangien e sistemit bankar në kryerjen e pagesave për lëndën narkotike.

Tv Klan

/tvklan.al