Akuzohen se i vunë gjobë 12 mijë Euro një personi

Një aksident i ndodhur më 19 Shtator të 2018 në një nga rrugët e kryeqytetit është pikënisja e një historie gjobëvënie për Policinë e Tiranës. Personi që udhëton me biçikletë është 18-vjeçari Ilson Beqiraj që përplaset nga një automjet.

Sipas avokatit dhe familjarëve të të riut, aksidenti nuk është hetuar nga policia dhe për këtë ai ka vendosur ta gjejë vetë kush ishte shkaktari. Përmes një kamere sigurie të një biznesi, ka mundur të gjejë targën e makinës që ka rezultuar në pronësi të Fatjon Rukos.

Beqiraj ka kërkuar nga Ruko shumën prej 12 mijë Euro, në formë shpërblimi për pasojat e shkaktuara nga aksidenti. Kjo ngjarje është denoncuar në polici nga Fatjon Ruko dhe në kohën që i ka dhënë Beqirajt shumën prej 7500 Euro, ka ndërhyrë policia duke vënë në pranga 18-vjeçarin dhe mikun e tij Edmond Gecaj me akuzën e gjobëvënies. Gecaj njihet si person me precedent penal nga policia pasi është arrestuar më herët për të njëjtën akuzë.

Paraditen e së dielës, Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg pa afat 30-vjeçarin Gecaj, ndërsa Beqiraj do të hetohet në arrest me burg me afat 2-mujor. Kjo masë është dhënë për t’i lënë kohë prokurorisë të hetojë mbi aksidentin e ndodhur më 19 Shtator të vitit të kaluar.

Tv Klan