Andy Burnhamit i hapet zyrtarisht rruga për garën në krye të Laburistëve britanikë. Ish-kryebashkiaku i Mançesterit do të jetë pjesë e Dhomës së Ulët të Parlamentit britanik, pasi fitoi garën në qarkun zgjedhor të Makerfield me 55% të votave. Ai la pas kandidatin e partisë Reform UK, Robert Kenyon, duke siguruar një diferencë bindëse prej 20%.
Zgjedhjet e së enjtes sollën entuziazëm mes Laburistëve, që nuk mund të jetë megjithatë i plotë për kryeministrin Keir Starmer, kreun e tyre aktual. Me Andy Burnhamin, ata fituan në një moment kur popullariteti i partisë është në pikëpyetje, pas krizave të njëpasnjëshme që lidhen si me skandalin Epstein, ashtu edhe me pasojat e krizës financiare nga konflikti në Iran. Rënia e besimit u duk qartë edhe në zgjedhjet rajonale në Angli, ku Laburistët pësuan një disfatë të rëndë, vetëm dy vite pas fitores së tyre me shumicë absolute në zgjedhjet parlamentare të korrikut të vitit 2024.
Kryeministri Keir Starmer e uroi publikisht Burnhamin për fitoren, por tashmë ai ka përballë një rival të drejtpërdrejtë, që ka rreth vetes një numër gjithnjë e më të madh deputetësh dhe zyrtarësh që i kërkojnë kryeministrit të japë dorëheqjen si kryetar i partisë dhe të përballet në një proces të ri zgjedhor brenda partisë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 