Projektbuxheti dhe paketa e re fiskale për vitin 2027 kanë marrë miratimin në parim nga Banka e Shqipërisë.
Në Komisionin e Ekonomisë, zëvendësGuvernatorja Natasha Ahmetaj vlerësoi konsolidimin fiskal, por kërkoi me urgjencë reformimin e skemës së pensioneve.
“Banka e Shqipërisë konstaton se projektbuxheti i vitit 2027 ruan kahun konsolidues të politikës fiskale, çka rrit qëndrueshmërinë e financave publike dhe ndihmon kontrollin e presioneve inflacioniste. Megjithatë, trendet e pafavorshme demografike pritet të shtojnë presionet mbi skemat e sigurimeve shoqërore. Inkurajojmë vijimin e reformës në sistemin e pensioneve, si dhe përshtatjen graduale të parametrave të skemës publike dhe zhvillimin e skemave plotësuese”, tha zëvendësGuvernatorja e BSH, Natasha Ahmetaj.
Diskutimet u pasuan me debate, ku opozita ngriti shqetësime mbi pastrimin e parave, mbledhjen e TVSH-së dhe goditjen e eksporteve.
“Eksportet po vuajnë, ndërsa mbledhja e TVSH-së mbetet e dobët. Si do të ndikojë kjo paketë te konsumi dhe informaliteti?”, tha deputetja e PD, Jorida Tabaku.
“Ndryshimet fiskale varen nga efikasiteti i administratës tatimore. Sa u përket eksporteve të mallrave që preken nga kursi i euros, qëndrimi ynë është se zgjidhja nuk vjen nga qasja monetare, por nga ndryshimi i modelit të të bërit biznes, përmes inovacionit dhe rritjes së konkurrueshmërisë”, tha Ahmetaj.
Diskutimet për projektbuxhetin 2027 dhe paketën shoqëruese fiskale do të vijojnë edhe në komisionet e tjera parlamentare, me qëllim miratimin në parlament më 26 nëntor.
/tvklan.al












Botërori 2026 