Një lajm i mirë në kampin londinez të Arsenalit. Trajneri Mikel Arteta do të ketë të gatshëm pas 4 muajsh francezin William Saliba, i cili mungon që në gjysmëfinalen e Botërorit Francë-Spanjë.
Mbrojtësi i Arsenalit, William Saliba, është rikthyer në stërvitje për herë të parë që prej dëmtimit në shpinë, të cilin e pësoi katër muaj më parë.
Mbrojtësi 25-vjeçar u zëvendësua pas 30 minutash në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, ku Franca pësoi humbjen 2-0 ndaj Spanjës. Në një moment që në pamje të parë nuk dukej serioz, ai u rrëzua në fushë, largoi topin jashtë dhe kërkoi ndihmën e stafit mjekësor, përpara se t’i linte vendin Maxence Lacroix.
Në korrik, Arsenali njoftoi se Saliba do të qëndronte jashtë fushave për një periudhë të gjatë për shkak të dëmtimit në shpinë. Tashmë, në një lajm shumë pozitiv për skuadrën londineze, futbollisti francez është stërvitur të martën në mëngjes, përpara ndeshjes së Arsenalit në Champions League kundër Slavia Pragës.
Sezonin e kaluar, ai zhvilloi 50 ndeshje në të gjitha kompeticionet me Arsenalin, duke luajtur një rol të rëndësishëm në suksesin e skuadrës në Premier League dhe në rrugëtimin drejt finales së Champions League.
Në mungesë të Salibas, Cristhian Mosquera formoi dyshen e qendrës së mbrojtjes me Gabriel për dy ndeshjet e para të sezonit, përpara se spanjolli të pësonte një dëmtim në kyçin e këmbës.
Më pas, në formacionin titullar u aktivizua Ezri Konsa, i cili iu bashkua klubit gjatë kësaj vere nga Aston Villa për 51 milionë paundë.
Arsenali aktualisht ka mbrojtjen më të mirë në Premier League, duke pësuar vetëm pesë gola në nëntë javët e para të kampionatit.
Ndërkohë, Saliba u rendit në vendin e 29-të në klasifikimin e Topit të Artë për meshkuj në muajin tetor.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
