Në qarkun e Fierit situata nga përmbytjet është rënduar. Prurjet e shumta të lumit Seman dhe çarja e argjinaturës në disa segmente kanë bërë që uji të vërshojë në tokat bujqësore të disa fshatrave.
Siç shihet në këto pamje, uji ka mbuluar qindra hektarë tokë. Sipas të dhënave nga autoritetet, mbi 20 banesa në fshatrat e Libofshës janë të përmbytura.
Mesditën e sotme nisi evakuimi i banorëve nga fshati Hasturkas. Po ashtu, nga zona u larguan edhe qindra bagëti që rrezikoheshin.
Ky është momenti kur efektivët e Forcave të Armatosura nxjerrin nga zona e përmbytur 220 dele.
Ndërkohë ekipet e emergjencave civile u angazhuan edhe në gjetjen e dy barinjve që ishin bllokuar në një zonë të përmbytur, që siç shihen në këto pamje kërkojnë ndihmë teksa shohin dronin mbi ta.
Në zonat e përmbytura të Fierit ishte edhe zv/kryeministrja Belinda Balluku.
Prurjet e lumit Seman vazhdojnë të mbajnë të rrethuar nga uji sipërfaqe të mëdha bujqësore edhe në bashkinë e Dimalit, duke shkaktuar dëme në të mbjellat e fermerëve.
Ndërsa në Shkodër, situata paraqitet drejt përmirësimit. Niveli i ujit në Obot dhe Dajç ka pasur një rënie orët e fundit. Megjithatë, rruga kryesore e Obotit vijon të ketë prezencë uji me rreth 100 cm, çka e bën të vështirë qarkullimin e mjeteve, përfshirë edhe mjetet e larta të Forcave të Armatosura.
Transporti i banorëve është siguruar nëpërmjet varkave të Forcave të Armatosura. Aktualisht, në zonën e Obotit ka prezencë uji në oborre, ndërsa nuk raportohet ujë brenda hapësirave të banimit. Banorët janë furnizuar me ujë të pijshëm dhe koncentrat për gjënë e gjallë.
Në total, në Shkodër janë mbi 800 hektarë nën ujë, pjesa më e madhe në njësinë administrative Ana e Malit.
Ndërkohë, zonat e Malësisë së Madhe janë përfshirë nga temperatura ekstreme të ulëta. -18 gradë ka shënuar termometri në Qafë Thore. Akset janë të kalueshme, por autoritetet apelojnë zbatimin e rregullave të qarkullimit dhe përdorimin e zinxhirëve.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 