Vetëm pak ditë më parë ishte në fushën e Air Albania, përballë Shqipërisë U21, ku u largua me një barazim. Tani, Karlos Espi është kthyer në protagonist në Spanjë, duke u shndërruar në shpëtimtarin e Realit të Madridit.

Talenti 21-vjeçar vendosi fatin e një sfide të komplikuar ndaj Seltës së Vigos, ku madrilenët triumfuan 2-1 me përmbysje. Gjithçka nisi keq për skuadrën e Murinjos, që e pa veten në disavantazh që në minutën e gjashtë. Mbape pati mundësinë të rikthente baraspeshën nga pika e bardhë, por gaboi nga penalltia.

Ishte Xhud Bellingam ai që riktheu shpresën, duke barazuar shifrat në pjesën e dytë. Por goditjen vendimtare e dha sërish Espi. I aktivizuar në minutën e 80-të, sulmuesi 21-vjeçar realizoi golin e fitores pak minuta para fundit, duke ndezur festën madrilene.

Për Espin ky ishte goli i tretë në La Liga, por edhe një tjetër dëshmi se di të bëjë diferencën kur i jepet mundësia. Në fakt, talenti ka qenë vendimtar në tri fitore të Realit, duke i dhuruar skuadrës plot 9 pikë.

Fillimisht shënoi në minutën e 90-të ndaj Espanjolit, më pas realizoi në shtesë kundër Elçes, ndonëse ishte aktivizuar vetëm tre minuta, ndërsa tani vulosi suksesin ndaj Seltës.

Në një prononcim për “Klan News”, Espi ka treguar se është në kërkim të hapësirave në ekipin e Murinjos dhe se synon të shfrytëzojë çdo mundësi që i jepet.

Nga Air Albania te protagonisti në Santiago Bernabeu, Karlos Espi po e kthen çdo minutë në fushë në një argument të fortë për më shumë besim. Dhe Murinjo ka një arsye më shumë për t’i dhënë hapësirë.

Tv Klan

/tvklan.al