32-vjeçarja fiton përballjen me drejtësinë pas përdorimit të dopingut

Ish-kampionia e Wimbledon dhe French Open, Simona Halep do rikthehet në fushat e tenisit më shpejt nga sa pritej. Tenistja rumune ka shkurtuar në mënyrë drastike pezullimin katër vjeçar nga dopingu.

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv me qendër në Lozanë (CAS) vendosi që pezullimi i saj duhet të reduktohet në nëntë muaj, një periudhë që ajo e ka kryer tashmë.

Halep fillimisht u ndalua për katër vjet për dy shkelje të veçanta të rregullave anti-doping. 
Halep u pezullua në tetor 2022 pasi ajo rezultoi pozitive për roxadustat, një ilaç i ndaluar që stimulon prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut në US Open të atij viti.

Ajo u akuzua gjithashtu për një përdorim tjetër të dopingut vitin e kaluar për shkak të parregullsive në pasaportën e saj biologjike të atletit, një metodë e krijuar për të monitoruar parametrat e ndryshëm të gjakut me kalimin e kohës për të zbuluar raste dopingu.

Tani, rumunja ka të drejtë për të konkuruar në garat e tenisit, si French Open dhe Wimbledon, ku kërkon të rikthehet protagoniste.

Klan News