Mbrëmja e nëntë e spektaklit të talenteve “X Factor Albania” në Tv Klan ka nisur ndryshe. Skena e zezë ndriçohet nga qindra dritëza të vogla dhe në mes të saj, varet një zemër. Muzika e përhershme dhe ritmike është zëvendësuar nga një melodi e ëmbël.

Ndryshe nga netët e tjera, nuk është Alketa Vejsiu ajo që përshëndet  spektatorët dhe teleshikuesit, por anëtari i jurisë, Adi Krasta. Me disa fjalë dedikuar dashurisë pasi sot është festa e Shën Valentinit, moderatori çel natën speciale.

Adi Krasta: Mirëmbrëma të gjithëve! Përshëndetje, mirë se erdhët në program! Kjo është një zemër e madhe, është një zemër e vërtetë, është reale. Ajo është këtu edhe e qëllimshme. Është si një kryefjalë e programit të sotëm, bazuar mbi një nga sentimentet më të jashtëzakonshme të njeriut. Dashuria, aq shumë e përfolur, aq shumë pjesë e poezive, e romaneve, edhe pse dashuritë e mëdha janë të  papretendueshme, ato janë të vetëmjaftueshme, nuk ka nevojë as për festa madje. Mirëpo çdo gjë vlen në kohët e sotme të ngurta, të moskomunikimit njerëzor të rrjeteve online ku njeriu për fat të keq tregon pjesën më të keqe të tij. Ka gjithmonë nevojë për një antidot dhe dashuria sillet si një antidot. Ne e kemi filluar kështu mbrëmjen e sotme sepse kolegët e mi kanë diçka për t’ju thënë./tvklan.al