Në Ditën Botërore të Mjedisit, ministri Klosi, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë Vlorë dhe prefekti i qarkut, çelen sezonin turistik 2019 në Sazan-Karaburun.

Ministri kërkoi nga bizneset që të investojnë më shumë në zhvillimin e turizmit duke shprehur bindje se numri i turistëve do jetë më i lartë krahasuar me një vit më parë.

“Mendoj se jemi në një sezon që ka nisur mirë dhe që padyshim do të realizojë shifrat e verës të vitit 2018. Nëse do të kishim shumë më tepër atmosferë për zhvillimin e turizmit, më shumë shoqëri të orientuar jo nga debate politike, por nga turizmi, padyshim që do të kishim me shumë rritje të numrit të turisteve.”

Klosi tha se për shkak të situatës politike, në vend ka patur anulime të rezervimeve individuale.

“Le të flasim për pozitivitet, le të flasim për një situatë, e cila nuk ndikohet nga debati politik dhe kjo falë përpjekjes së jashtëzakonshme që bën komuniteti i biznesit dhe unë e kam ndjerë shqetësimin e tyre, ka natyrisht anulime të ofertës dhe anulime të prenotimeve nëpër hotele, por fatmirësisht akoma janë anulime të turistëve individualë ndërsa kompanitë e grupuara vazhdojnë të sjellin turistë në Vlorë dhe në të gjithë Shqipërinë. Në qoftë se nuk do të kishim përplasjet politike sezoni do të arrinte në 7 milionë turistë në mënyrë të padiskutueshme.”

Sipas Klosit shumë shpejt Shqipëria do të ketë një ligj të ri për ekonominë e detit, që do të hapë me shpejtësi detin për turizmin.

Tv Klan