Përshtatur në shqip, artikull i Financial Times

Donald Trump po përballet me një krizë në rritje lidhur me mënyrën se si administrata e tij po trajton dosjet që lidhen me financierin e ndjerë, të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein. Kjo ka shkaktuar një përçarje të rrallë brenda bazës së Lëvizjes Maga.

Gjatë fushatës zgjedhore, presidenti premtoi të publikojë dosjet e njohura si “dosjet Epstein”, të cilat kanë qenë në qendër të një konspiracioni të gjatë që nga vdekja e financierit, i cili vrau veten në vitin 2019.

Por mënyra se si administrata e Trump-it po e menaxhon këtë çështje ka shkaktuar pakënaqësi në bazën e presidentit, me shumë teori të lidhura me vdekjen e Epstein-it dhe listën e supozuar të klientëve që kërcënojnë të hedhin një hije të gjatë mbi Shtëpinë e Bardhë.

“Kur njerëzit votuan për Presidentin Trump, publikimi i dosjeve të Epstein-it ishte një premtim ndaj bazës,” tha për Politico të hënën aktivistja e së djathtës ekstreme dhe influencuese e Maga-s, Laura Loomer. “Baza është e pakënaqur, dhe mendoj se kjo çështje nuk do të zhduket.”

Problemet e Trump-it filluan kur departamenti i drejtësisë dhe FBI-ja publikuan javën e kaluar një memorandum dyfaqësh pas një “rishikimi të thelluar” të materialeve që lidhen me financierin, i cili në gusht të vitit 2019 u gjet i varur në qelinë e tij në një burg në Nju Jork, ndërsa priste gjykimin për akuza për trafikim seksual me dhjetëra vajza të mitura.

Memorandumi thoshte se nuk ekzistonte “lista e klientëve” dhe se nuk kishte asnjë “provë të besueshme” që Epstein “shantazhoi individë të shquar si pjesë e veprimeve të tij”. Memorandumi gjithashtu konfirmoi se Epstein kishte vdekur nga vetëvrasja.

Këto gjetje kundërshtuan shumë teori konspiracioni që janë përhapur pas vdekjes së Epstein-it, shpesh nga aleatët më të ngushtë të Trump-it.

Para se të hynte në qeveri, drejtori i FBI-së Kash Patel dhe zv/drejtori Dan Bongino dyshuan publikisht nëse Epstein vdiq nga vetëvrasja apo u vra si pjesë e një konspiracioni të gjerë për të mbrojtur njerëz të fuqishëm që ishin lidhur me të.

Kur në shkurt Fox News e pyeti për listën e klientëve të Epstein-it, prokurorja e përgjithshme Pam Bondi u përgjigj: “Është duke u shqyrtuar në tryezën time tani.” Bondi tani është shënjestra e kritikave nga Maga, me Loomer dhe të tjerë që kërkojnë nga presidenti ta shkarkojë atë për shkak të memorandumit të departamentit të drejtësisë.

Deri më tani, Trump e ka mbrojtur me vendosmëri aleaten e tij të vjetër, e cila shihet si pjesë integrale e përpjekjeve të administratës për të rishikuar sistemin gjyqësor.

“Po flisni ende për Jeffrey Epstein? Ky njeri flitet prej vitesh,” tha ai kur një reporter u përpoq javën e kaluar të pyesë Bondin gjatë një mbledhjeje të kabinetit.

“Ne kemi Teksasin, kemi këtë, kemi gjithçka, dhe njerëzit ende flasin për këtë njeri? Këtë rrënim? Kjo është e pabesueshme,” shtoi presidenti.

Trump shkoi edhe më tej këtë fundjavë, duke thënë në një postim të gjatë në llogarinë e tij Truth Social të shtunën vonë: “Çfarë po ndodh me ‘djemtë’ e mi dhe, në disa raste, ‘vajzat’? Të gjithë po sulmojnë prokuroren e përgjithshme Pam Bondi, e cila po bën një PUNË FANTASTIKE!”

Ai shtoi: “LE TA BËJË PAM BONDİ PUNËN E SAJ — ËSHTË E MREKULLUESHME!”

Por Bondi mbetet në shënjestrën e bazës Maga. Disa nga zërat më të fortë në lëvizje kritikuan mënyrën se si administrata po trajton çështjen Epstein në një konferencë të organizuar këtë fundjavë nga grupi konservator Turning Point USA.

Ish-moderatorja e Fox News, Megyn Kelly, e quajti prokuroren “antagonisten në këtë histori” gjatë fjalimit në konferencë.

“Ti ose beson se Pam Bondi po thoshte të vërtetën atëherë, ose po thotë të vërtetën tani, por të dyja nuk mund të jenë të vërteta,” tha Kelly, duke shtuar se kjo saga mund “t’i kushtojë Trump-it zgjedhjet afatmesme.”

Steve Bannon, ish-këshilltari kryesor i Trump-it, iu tha pjesëmarrësve të konferencës se Epstein ishte “çelësi që hap shumë gjëra, jo vetëm individë, por edhe institucione, agjenci inteligjente, qeveri të huaja dhe kush po bashkëpunonte me të në aparatin tonë të inteligjencës dhe në qeverinë tonë.”

Bannon dhe Loomer kanë qenë ndër figurat më të zëshme të lëvizjes Maga që kërkojnë prokurorë specialë për të hetuar mënyrën se si qeveria po trajton hetimet për Epstein-in.

Nuk dihet nëse një hetim i ri do të kënaqë bazën, ose do të ndalë grindjet që thuhet se kanë shqetësuar drejtuesit e lartë të administratës këto ditë.

Disa media amerikane kanë raportuar se Patel dhe Bongino janë ankuar për mënyrën si Bondi po trajton çështjen Epstein, dhe se Bongino ka kërcënuar të largohet nga posti. FBI nuk ka dhënë komente ende mbi këtë.

Trump i hodhi poshtë raportimet për largimin e mundshëm të Bongino-s, duke thënë se kishte folur me zv/drejtorin e FBI-së, të cilin e përshkroi si “një njeri shumë të mirë” dhe tha se Bongino “dukej fantastik”./tvklan.al